Nga Aurenc Bebja
Zgjidhja e krizës së azilkërkuesve shqiptarë në Francë duke luftuar rrjetet mafioze Refugjatet azilkerkues ne zonen e Tualoheix, afer Parisit. (ROMAIN LAFABREGUE / AFP / Getty Images)

Qytetarët shqiptarë, që nga viti 2010, nuk kanë më nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen. Franca, që prej dhjetorit 2013, e ka shpallur Shqipërinë vend origjine të sigurtë. Megjithatë, në vitin 2016, ajo regjistroi 7.432 raste të azilkërkuesve nga Shqipëria, sipas Zyrës Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe Personave pa Shtetësi (Ofpra). Gjatë këtij viti janë regjistruar më shumë se 4.200 aplikime.

Komuniteti azilkërkues shqiptar në Francë është bërë çështje publike. Pothuajse, çdo ditë flitet për të, qoftë në mediat lokale dhe rajonale apo në ato kombëtare franceze. Argumentat kryesore për ardhjen në territorin francez janë gjakmarrja ose gjendja e dobët ekonomike.

Shqetësimi i qeverisë franceze

Qeveria franceze ka shprehur shqetësimin e saj për azilkërkuesit shqiptarë, për faktin se ajo gjendet përballë një situate tejet të vështirë, në pamundësi që t’i strehojë në qendrat e posaçme për refugjatë, pasi ato janë tashmë të mbingarkuara.

Sidoqoftë, nevojitet që të jemi koherentë dhe të kuptojmë se Franca nuk mund të hapë dyert për të gjithë shqiptarët. Por, ajo mund të luajë një rol të dyfishtë ndaj këtij imigracioni të paligjshëm, së pari duke përgjegjësuar qeverinë shqiptare për këtë çështje dhe se dyti duke luftuar rrjetet mafioze të këtij trafiku.

Përgjegjësia (llogaridhënia) e qeverisë shqiptare

Përsa i përket përgjegjësisë së qeverisë shqiptare, vizita e ministrit francez të Punëve të Brendshme, Gérard Collomb, e planifikuar gjatë vjeshtës së këtij viti në Tiranë, është një sinjal i fortë dërguar udhëheqësve të Shqipërisë. Le të jemi të vetëdijshëm e të pranojmë se politkanët shqiptarë janë aktorët kryesorë të largimit bashkëkombasve tonë për shkak të dështimit të politikave të tyre socio-ekonomike (puna, siguria, shëndeti…). Ndërsa nepotizmi, korrupsioni dhe arroganca dergjen rrugëve të Shqipërisë dhe primojnë mbi aftësitë profesionale dhe cilësitë njerëzore të qytetarëve shqiptarë (ndershmërinë, dinjitetin…), ju mund të kuptoni arratisjen e disave (që tani llogariten me dhjetëra mijëra) larg atdheut.

Për këtë arsye, i takon udhëheqësit aktual të qeverisë shqiptare (në detyrë që prej vitit 2013 dhe i rizgjedhur tashmë deri më 2021), këtij frankofoni, i cili u dekorua Komandant i Legjionit të Nderit në 2017 nga shteti francez, që të marrë përgjegjësitë e tij dhe t’i “rikthejë” Francës atë që ajo i ka dhënë në të shkuarën. Është e nevojshme dhe urgjente të ndërmerren masat e duhura që qytetarët shqiptarë të jetojnë në mënyrë dinjitoze në atdheun tonë dhe të mos arratisen, katandisen e të jetojnë në kushte çnjerëzore në hapësirat publike franceze (rrugëve, trotuareve, urave, lulishteve, stacioneve hekurudhore …).

Lufta kundër rrjeteve mafioze shqiptare

Sa i përket luftës kundër rrjeteve mafioze shqiptare, qeveria franceze gjithmonë do të duhet të vazhdojë t’i luftojë në tokën e saj. Megjithatë, një bashkëpunim më i gjerë i nevojitet, jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vendet fqinje si Gjermaninë, Italinë dhe Zvicrën, për të ndaluar këta predatorë “vendeurs de rêves – shitës ëndrrash” të cilët u premtojnë Eldoradon preve të tyre.

Shumica e azilkërkuesve shqiptarë plaçkiten nga këta mafiozë. Disa prej tyre harxhojnë kursimet e jetës së tyre në mënyrë që të depërtojnë në tokën franceze. Pastaj ata lihen në mëshirë të fatit në një cep rruge (shpesh në afërsi të një institucioni social) duke shpresuar që të gjejnë strehë dhe të marrin të drejtën e azilit, por shanset janë të dobëta për faktin se së pari nuk kanë status refugjati dhe së dyti për faktin se Shqipëria prej 2013 është deklaruar vend i sigurt origjine.

Domethënë, ky lloj emigrimi është vetëm një “zgjidhje afatshkurtër”, ku pjesën më të madhe të kohës përfundon me një rikthim në vendin e origjinës. Prandaj, kjo krizë ka nevojë të zgjidhet përmes rrugëve politike dhe ligjore, se çdo ditë po shkatërrohen jetë njerëzish. Por për këtë nevojitet që qeveria shqiptare dhe dirigjenti, kapiteni apo timonieri i saj të interesohen apo të sensibilizohen më shumë për këtë çështje.

Shqipëria bëhet, por që të bëhet, shembulli duhet të vijë nga lart!

Francë, 26 Gusht 2017

 

Botuar fillimisht në Darsiani.