Nga Carloalberto Rossi
Votimi i detyrueshëm, një propozim i kotë

Para pak ditësh një deputet demokrat ndezi diskutim në mediat sociale me propozimin për për ta bërë të detyryeshëm me ligj votimin me qëllim uljen kështu të efektit gjithnjë e në rritje të bojkotit zgjedhor.

Politika shqiptare çudit përsëri me paaftësinë e saj për t’u përqëndruar në diskutimin e gjërave me rëndësi për jetën publike, duke u humbur në diskutime doktrinore për aspekte të parëndësishme për qytetarët, të lëshuara në një moment të dyshimtë, dukshëm me të vetmin qëllim për të zhvendosur diskutimin nga temat e nxehta që e ekspozojnë të gjithë klasën politike shqipatre ndaj pakënaqësisë popullore.

Të thuash sot, dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat u braktisën në masë, se duhet prezantuar votimi i detyrueshëm me ligj, ka diçka që nuk shkon.

Madje, duket pikërisht shfaqje e paaftësisë mbizotëruese për të konceptuar politika publike me anë të konsensusit, duke u drejtuar si gjithmonë drejt kërënimit me ligj, në një vend në të cilin ligjet nuk i zbaton as vetë qeveria.

Debati mbi votimin e detyrueshëm është konsumuar tashmë nga konstitucionalistët në të gjithë botën për gati një shekull, pa arritur të gjendet një qendrim i qartë dhe bindës: edhe në Itali vota u përcaktua si e drejtë-detyrë, por pavarësisht kësaj nuk u arrit të identifikohëj një dënim i përshtatshëm që të mos shkelte parime të tjera, dhe një ligj që përcakton një detyrim pa parashikuar një dënim—nullum crimen sine poena —kthehet vetëm në një parim abstrakt.

Nëse me të vërtetë duhet të diskutojmë si të përmirësojmë procesin zgjedhor në Shqipëri për të garantuar themelet demokratike të vendit duhet të nisemi nga shumë më larg.

Sistemi i tanishëm zgjedhor në Shqipëri has shumë vështirësi për t’u garantuar të gjithëve ushtrimin e të drejtës së votës (zonat rurale, emigracioni), vështirësi të madhe për të identifikuar saktësisht ata që kanë të drejtë të votojnë (lista zgjedhore të manipuluara, kopje, vendbanime të rreme), vështirësi të jashtëzakonshme (të qëllimshme) për t’u siguruar zgjedhësve mundësi për të zgjedhur për kë të votojnë (vështirësi në paraqitjen e partive të reja, lista të bllokuara, mungesë të votës preferenciale), vështirësi të pakapërcyeshme për kufizimin e shitblerjes së votës, dhe, në fund, vështirësi të vazhdueshme për t’i numëruar saktë dhe në mënyrë të besueshme ato pak vota të shprehura lirisht.

Vota e detyrueshme nuk duket se shëron asnjë nga këto probleme, përkundrazi duket vetëm një lehtësi për të fshehur efektin natyral të provokuar nga problemet e vërteta.

Votat e pakta në kutitë e votimit janë në fakt një nga sinjalet më të dukshme e vuajtjes së një elektorati që nuk e pranon dot më sjelljen e të gjithë klasës politike.

Ndoshta partitë e supozuara opozitare do dueht të nisen nga ligji zgjedhor, ose nga diskutimi mbi demokracinë e brendshme në statutet e partive politike, për të mos i krijuar përshtypjen popullit se po përpiqen të marrin votat e qytetarëve me dhunën e ligjit.