Qeveria e re e vjetër

Kryeministri Rama njoftoi dje gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, përbërjen e qeverisë Rama 2, ose më saktë skuadrës së tij personale, e përbërë nga ministra të ricikluar nga Rama 1, pjëstarë të ish-nomenklaturës komuniste dhe ish-drejtoreshat e Bashkisë Tiranë.

Bie në sy, përveç zvogëlimit dhe shkrirjes së ministrive – nga 16 + 3 ministra shtetit në Qeverinë Rama 1 në 11 + 2 ministra shteti në Qeverinë Rama 2 – për qëndrimi i pjesës më të madhe të pushtetit, gjashtë ministri, në  tre ministra, të tre të ricikluar nga qeveria e mëparshme:

Arben Ahmetaj, deri më tani ministër Financash, në Qeverinë e re do të ketë në duar dy prej ministrive më të rëndësishme, të bashkuara të një: atë të Ekonomisë dhe Financave, të cilave i është bashkëngjitur dhe një pjesë e ish-ministrisë së Mirëqenies Sociale, ajo e Punës.

Damian Gjiknuri, që deri më tani drejtonte Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, tashmë do të drejtojë dy ministri të bashkuara në një: Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës.

Blendi Klosi, që drejtoi për rreth dy vjet Ministrinë e Mirëqenies Sociale, tashmë të shpërbërë totalisht, do të drejtojë Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Të tjerë ministra që kanë arritur t’i mbijetojnë “gjykimit” të Kryeministrit Rama janë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, që vetëm pak ditë më parë u fajësua publikisht nga Rama për mungesën e investimeve të huaja, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ndër më të sulmuarat gjatë katër viteve të shkuara, dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ministri që çuditërisht arriti të qëndrojë e vetme teksa ajo e Zhvillimit Urban apo e Mirëqenies Sociale u shpërbënë totalisht.

Ministria e Brendshme i është ribesuar Fatmir Xhafës, ish-hetues gjatë regjimit komunist dhe ish-  sekretar i Komitetit Qendror të Rinisë i PPSH-së.

Tjetër figurë e vjetër e PS-së, Pandeli Majko i është bashkuar qeverisë Rama 2, me një ministr të re pa portofol, ajo e Diasporës.

Ndërkohë një prej ish-drejtoreshave të Bashkisë Tiranë, në kohën kur drejtohej nga Rama, Sonila Qato do të drejtojë Ministrinë e Shtetit për Mbrotjen e Sipërmarrësve. Sonila Qato gjatë mandate të parë të Ramës ka drejtuar një prej agjencive më të rëndësishme atë të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës.

Po ashtu, Ogerta Manastirliu, ish-drejtoreshë në bashki dhe ish-drejtoreshë e QSUT gjatë Qeverisë Rama 1, do të jetë ministre e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social.

E vetmja prurje sadopak e re në këtë qeveri të vjetër duket se është Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni, që deri më tani ka mbajtur postin e zëvendësministres në të njëjtën ministri.

Deklarata e Ramës, dje gjatë Asamblesë, se “Shqipërisë i duhet një forcë e re politike” duket se përshkruan më së mirë qeverinë  e re: një grup politik, besnik vetëm ndaj Ramës. Mbetet për tu parë, nëse edhe pas qeverisë së emëruar totalisht prej tij, Kryeministri Rama do të kërkojë fajtorë për dështimet e ardhshme.