Përse Serbia tërhoqi trupin diplomatik nga Maqedonia?

Qeveria serbe ka tërhequr të gjithë stafin e ambasadës së saj në Maqedoni, me pretendimin se kjo e fundit ka ndërmarrë “veprime sulmuese” ndaj Serbisë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u shpreh për gazetarët se tërheqja e trupit diplomatik nga Shkupi erdhi pas disa raporteve të inteligjencës serbe për “veprime shumë ofenduese të planifikuara në Maqedoni kunder interesave serbë”.

Presidenti Vuçiç nuk e sqaroi më gjatë situatën por e mbylli deklaratën e tij duke thënë se “gjithçka do të jetë më e qartë” gjatë 10 ditëve të ardhshme.

Stafi i ambasadës serbe në Shkup ndodhet aktualisht në Serbi ku do të këshillohet me Ministrin e Jashtëm Ivica Daçiç dhe Presidentin Vuçiç.

Ndërkohë, qeveria maqedonase njoftoi median se nuk ishte ende në dijeni të arsyeve të këtij vendimi.

Sipas disa mediave ruse, një prej arsyeve për largimin e trupit diplomatik serb nga Maqedonia mund të jetë propozimi i qeverisë maqedonase për të votuar pro kërkesës së Kosovës për të qenë pjesë e UNESCO-s. qendrimi pro Kosovës kundërshtohet nga Serbia.

Lidhur me këtë pretendim, qeveria maqedonase shkruan:

“Lidhur me votimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, qeveria e Republikës së Maqedonisë do ta ketë parasysh pozicionin e shumicës së vendeve anëtare të BE-së.”