Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Përgjegjësia për dështimin e investimeve të huaja

Dy ditë më parë, Kryeministri Edi Rama vendosi të fajësojë trupin diplomatik shqiptar për mungesën e investimeve të huaja në Shqipëri. Nga një anë, kjo ishte hera që Rama pranoi hapur se qeveria e tij ka dështuar në përmirësimin e klimës së investimeve në Shqipëri.

Vetëm pak kohë më parë, Kryeministri mohoi dështimin e politikës së tij të jashtme edhe pse Samiti i Triestes i vendeve të Ballkanit Perëndimor solli saktësisht zero investime nga BE-ja për infrastrukturën shqiptare. Madje në prill, ai u mburr se i kishte sjellë vendit një miliardë euro investime të huaja edhe pse një sërë udhëtimesh të tij në forume tregtare nëpër Azi, sërish nuk sollën asgjë.

Për më tepër, vlerësimet ndërkombëtare, të tilla si klasifikimi më i fundit i Moody’s, në mënyrë të qartë përmendin rënie të investimeve të huaja. Diplomatët e huaj në Tiranë e kanë trajtuar hapur këtë çështje, duke e lidhur mungesën e investimeve të vendeve të tyre në Shqipëri me korrupsionin e përhapur gjërësisht në vend.

Tani, duket se kurbani i volitshëm i Kryeministrit për dështimin e investimeve të huaja po bëhet shërbimi diplomatik shqiptar dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati.

Sidoqoftë, në të vërtetë është vetë Kryeministri ai që duhet të fajësohet më shumë nga të tjerët.

Në organigramën e kryeministrisë ka një departament të quajtur Departamenti i Përjetësimit të Prioriteteve (delivery unit), i drejtuar nga Anna Sakiqi. Sipas një postimi në blog të shkruar prej saj,

Departamenti i Përjetësimit të Prioriteteve (DPP) u krijua në mars të vitit 2014 me qëllim për të ndihmuar Kryeministrin dhe qeverinë për të çuar përpara reformat në fushat prioritare. Nga gjashtë prioritet e qeverisë së Shqipërisë, DPP është përqendruar në katër: (1) Energji; (2) Ujitje dhe Kullim; (3) Mirëqeverisje; (4) Nxitja e investimeve të huaja. DPP lehtëson reformat duke identifikuar pengesat dhe duke propozuar zgjidhjet. Me mbështetjen e fortë politike të dhënë nga Kryeministri, DPP ka mundur të përqendrohet në forcimin e kuadrit ligjor institucional të vendosur për të arritur objektivat e politikave publike të qeverisë së Shqipërisë.

Pra, ka një department në Kryeministri “me mbështetjen e fortë politike” të Ramës, që përqendrohet në katër nga “gjashtë prioritetet” e qeverisë shqiptare, një nga të cilat është “nxitja e investimeve të huaja direkte”. Departamenti është krijuar nën këshillën e ish-Kryeministrit Tony Blair dhe firmës së tij të konsulencës për një pagesë të pabërë publike.

Pra si funksionon në praktikë ky departament përjetësimi të politikave prioritare të qeverisë?

Nga ana praktike, DPP punon me ministritë dhe departamentet e linjës për të identifikuar pengesat në arritjen e përparimit në fushat prioritare. Kur çështja kërkon vendimarrje në nivel ekzekutiv, DPP ka hartuar mjetet mbikqyrëse të cilat nxjerrin në pah dimensionet dhe prioritetet kritike.

Me fjalë të tjera, nëse në katër vjet “pengesa” për investimet e huaja ka qënë trupi diplomatik shqiptar, duhet të kishte qënë përgjegjësi e departamentit të Sakiqit për ta identifikuar “këtë”, dhe të përdorte akesin direkt në “vendimarrësit e nivelit ekzekutiv” për ta zgjidhur problemin. Në 2015, Sakiqi shkroi se, “rezultati kryesor” i Departamentit të Përjetësimit të prioriteteve në fushën e tërheqjes së investimeve të huaja direkte ishte:

Është duke u hartuar kuadri ligjor për të identifikuar pengesat ndaj investimeve të huaja direkte dhe për t’i mundësuar qeverisë shqiptare trajtimin e këtyre pengesave në një mënyrë të shënjestruar që do të përmirësojë klimën e investimeve. Metodologjia dhe mjetet për gjurmimin dhe ndjekjen e mundësive për investim janë duke u përgatitur.

Çfarëdo që të ketë qenë ky “kuadër ligjor për identifikimin e pengesave”, është e qartë se ai nuk ka funksionuar siç duhet. Në fakt, një blog që dokumenton një sërë projektesh të dështuara të investimeve të huaja tregon shumë qartë se si ka ndërvepruar me investitorët e huaj zyra e saj.

Dhe nuk është se Anna Sakiqi nuk kishte qasje në informacionin e dorës së parë mbi mënyrën me të cilat ambasadat silleshin me investimet e huaja. Motra e saj, Adia Sakiqi, është ambasadorja shqiptare në Hollandë, që sipas Bankës të Shqipërisë, vendi me i dytë për investimet e huaja në Shqipëri për vitin 2015.

Para pak ditësh, motra ambasadore e Anna Sakiqit gjeti një rrugë me të vërtetë shumë produktive për të tërhequr investimet e huaja dhe joshur investitorë të rinj. Në një intervistë për mediat shqiptare, Ambasadorja Sakiqi e quajti media “sensacionale” një prej gazetave më të rëndësishme hollandeze, shtrembëroi përmbajtjen e raportimit mbi Shqipërinë të kësaj gazete, bëri disa pretendime në lidhje me komunikimet e saj me Ministrinë e Jashtme Hollandeze, të cilat pastaj u përgënjeshtruan nga kjo ministri, pas të cilave u mësua së në të vërtetë Ambasadorja ishte telefonuar dy herë nga gazeta në fjalë para se të botohej artikulli. Në intervistë, Ambasadorja sugjeroi, gjithashtu, se legalizimi i drogave të lehta dhe prostitucioni i lejuar në Amsterdam mund të ishin përgjegjës për rritjen e krimit shqiptar.

Ja pra ku shkëlqen plot lavdi sjellja e një ambasadoreje shqiptare ndaj vendit të dytë për investimet e huaja në Shqipëri: duke zëmëruar një nga gazetat më të mëdha të këtij vendi, duke bërë pohime të rreme për komunikimet e saj me qeverinë e vendit, dhe duke fajësuar politikat e brendëshme të vendit.

Para pak javësh, Anna Sakiqi është larguar nga Shqipëria për në Britani, duke iu bashkuar mijëra shqiptarëve në kërkim të një jetë më të mirë jashtë vendit, që dëshmon besimin që ka tek vendi i saj dikush që ka punuar për të bindur te huajt të investojnë e punojnë në Shqipëri.

Ndaj dështimi më i madh nuk është as i ambasadores dhe as i drejtoreshës, por ndoshta i politikës së Edi Ramës për përzgjedhjen e funksionarëve të lartë shtetërorë?