Nga Alba Mborja
Kryeministri Rama shkëlqen intelektualisht me fjalimin para ambasadorëve – tre pikat kulmore Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë Durrës Vangjush Dako

Exit News ndjek, gjithmonë, me kureshtje dhe përcjell me kënaqësi gjithëditshmërinë e Kryeministrit Rama, veçanërisht shfaqjet e shpeshta publike të erudiconit të tij. Fjalimi historik-programatik i tij mbi diplomacinë ekonomike, i mbajtur dy ditë më parë përpara diplomatëve shqiptarë, nuk zhgënjeu në këtë drejtim.

Fjalimi ishte një tjetër kontribut origjinal i kryeministrit tonë në doktrinën e marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe filozofinë botërore.

Më poshtë ne po përcjellim tre pikat kulmore të fjalimit të Kryeministrit.

1. Shpallja e doktrinës “Më shumë, me më pak”, e cila, tani e tutje, do të jetë parimi kryesor për organizimin e jetës dhe aktivitetit tonë shoqëror, ekonomik e politik. Ky parim do të renditet prore mes parimeve më të suksesshme të historisë njerëzore, përfshi parimin e madh të socializmës “mbështetje në forcat e veta” dhe parimet e Fermës së Kafshëve: “Lufta është paqe. Liria është skllavëri. Injoranca është fuqi.”

2. Konstatimi “Gjithkund rreth nesh, gjeopolitika është përshpejtuar dhe përshpejtohet çdo ditë”. Ky vëzhgim i thellë dhe origjinal pritet të hapë diskutime të gjëra mbidukurinë e panjohur më parë të “përshpejtimit” të gjeopolitikës. Veçanërisht fizikantëve do t’u duhet të hulumtojnë nëse përshpejtimi i gjeopolitikës është një tjetër tregues i përshpejtimit të universit, dukuri që u zbuluar në vitin 1998 . Ndërkohë, studiuesit e fushave të tjera do të duhet të studiojnë nëse krahas gjeopolitikës, po përshpejtohet gjithashtu edhe gjeografia, historia, seksologjia, psikologjia apo filozofia.

3. Shpalosja e erudicionit, tashmë të njohur botërisht të Kryeministrit Rama përmes deklarimit. Një mendje e zgjuar dhe si zakonisht cinike kur është fjala për njerëzit e diplomacisë — u shpreh Kryeministri — e ka cilësuar diplomacinë si “arti patriotik i të gënjyerit për hir të vendit”.

Mendja e zgjuar të cilës i referohet Kryeministri është Ambrose Bierce, edhe pse përdorimi serioz i thënies të Bierce është pak skiç sepse ajo është pjesë e fjalorit satirik Fjalori i Djallit, botuar në vitin 1911, në të cilin Bierce “shpjegon” me humor dhe satirë qindra fjalë të zakonshme.

Në fjalor, Bierce është tallur me shumëçka. Ja, për ilustrim, dy hyrje të tjera të Fjalorit të Djallit:

Politikë, e. f — ushtrimi i detyrave publike për përfitim privat.

Idiot e. m. — anëtar i një fisi të fuqishëm, ndikimi i të cilit mbi punët e njerëzve ka qenë përherë dominues dhe kontrollues. Aktiviteti i idiotit nuk kufizohet në ndonjë fushë të caktuar të mendimit apo veprimit, por “përshkruan dhe rregullon të tërën’. Ai thotë fjalën e fundit në çdo gjë; vendimet e tij janë të paapelueshme. Ai vendos modën e fundit dhe opinionet mbi shijen, përcakton kufijtë e shprehjes dhe kufijtë e sjelljes duke hequr vijën që nuk duhet shkelur.