Nga Alba Mborja
Edi Rama kërcënon Europën të ndalë akuzat për krimin shqiptar ose ai do të shkojë me rroba banjo në mbledhjen e NATO-s

Edi Rama kërcënoi, dje, BE-në se ai nuk do lejonte që kriminelët shqiptarë të përdoren për luftrat e brendëshme politike të vendeve europiane. Në fund të takimit informal me kryeministrat e Ballkanit, Zoti Rama p0hoi se ai refizon “çdo përpjekje politike, mediatike nga vendet e BE-së për arsye të brendshme dhe për konsum të brendshëm për të treguar me gisht, një të ashtuquajtur ”krim shqiptar”…”

I pyetur nga një gazetar se çfarë do të bënte konkretisht nëse Europa nuk ndryshonte qëndrimin e keqpërdorimit të Shqipërisë, Kryeministri Rama u shpreh pa hezitim se ai në shenjë proteste ai do t’i vishte pa çorape atletet në takimet me polikanët Europainë. Nëse as kjo gjë nuk funksionon, Kryeministri tha se do ta përshkallëzonte qëndrimin e tij në mbrojtje të Shqipërisë duke shkuar me rroba banjo në Samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet në Bruksel verën e ardhshme.

Ndërsa si masë ekstreme, si opsion bërthamor, Kryeministri shtoi se po konsideronte seriozisht që të shkonte lakuriq në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork shtatorin e ardhshëm, nëse kështu do e donte interesi i Shqipërisë kundër kepërdorimit nga vendet e politikës së vjetër të BE-së.

Një nga njerëzit më të afërt dhe njohësit më të mirë të Kryeministrit Rama, analisti i shquar Baton Haxhiu, i cili në një artikull të thellë para disa ditësh shpjegoi përpjekjet e Kryeministrit Rama për te ndryshuar politikën e vjetër europiane përmes diplomacisë estetike, u shpreh optimist se pas këtyre kërcënimeve BE dhe veçanërisht Hollanda do ta qepin gojën para Shqipërisë.

Haxhiu—një person fjalëpak dhe i rezervuar—u shpreh:

“Është e qartë se Europa është shumë konservatore. Megjithë përpjekjet më shumë se katër vjeçare të Edit, përmes politikës së tij të zgjuar estetike me atlete, t-shirte dhe brekushe, politika europiane prapë nuk u emancipua dot. Tani, Edi ka vendosur të përdorë gjuhën e forcës, e cila duket se është e vetmja gjuhë që kuptojnë vendet perendimore. Të tmerruar nga raketat bërthamore që po përgatit Kim Jung-un i Koresë së Veriut, Europa nuk mund të guxojë të lejojë që edhe Edi të përdorë opsionin e tij bërthamor para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.”

Por disa analistë në Tiranë e shohin me mosbesim këtë argumentim të Haxhiut. Ata mendojnë se përpara opsionit bërthamor të daljes lakuriq, Kryeministri Rama duhet të shterojë të gjitha opsionet e buta, përfshi piercing në hundë dhe kërthizë, tatuazhet në qafë, xhupat dhe këpucët me lëkure leopardi, madje edhe sandalet e veshura me çorape të bardha.

Ata shprehen se në ketë beteje çelësi i suksesit është këmbëngulja. Historia tregon se pionerët e transformimeve të mëdha shoqërore në fillim nuk kuptohen dhe madje sulmohen nga establishmenti, por pastaj fillojnë të imitohen dhe në fund të adhurohen. Rasti i Kim Kardashian dhe i Bleona Qerretit janë dëshmitë më të fundit të kësaj të vërtete të madhe.

Por, pavarësisht debateve mes analistëve politikë të Tiranës, një gjë është e sigurtë: në një mënyrë a një tjetër, Kryeministri Rama nuk do të lejojë që bota perëndimore të shajë dhe përflasë kriminelët shqiptarë.

 

P.S. Jo i gjithë artikulli është humor. Artikulli serioz i Baton Haxhiut mund të lexohet këtu, kurse deklaratat e Edi Ramës këtu.