Drejtësia amerikane: Fillon gjykimi për korrupsion i senatorit Menendez

Dje, Gjykata e Nju Xhersit filloi procesin e zgjedhjes së jurisë për gjykimin e Senatori amerikan Bob Menendez. Senatori i vjetër demokrat i shtetit të Nju Xhersit, do të ballafaqohet me akuzën e korrupsionit në ushtrimin e detyrës së senatorit.

Sipas prokurorisë federalë, senatori 63 vjeçar ka pranuar rryshfet nga një mjek okulist në Florida, përfshi përdorimin disa herë të avionit privat të mjekut dhe dy udhëtime të paguara për pushime në Paris dhe Republikën Domenikane. Prokurorët besojnë se në shkëmbim të këtyre dhuratave senatori ka përdorur pozitën dhe ndikimin e tij në favor të interesave sipërmarrëse të mjekut. Ata akuzojnë gjithashtu se edhe mbi 100 mijë dollarë fonde të dhuruara ligjërisht nga mjeku për fushatat e senatorit gjithashtu janë dhënë me premtimin e favoreve.

Prokurorët kanë zbuluar se me ndërmjetësinë e senatorit mjeku nën hetim ka zhvilluar takim me ish-sekretaren amerikane të Shëndetësisë dhe administratorin e programit Medicaid—programi që ofron rimbursim të shpenzimeve shnëdetësore për njerëzit dhe familjet në nevojë.

Gjithashtu, ata kanë zbuluar se senatori ka ndërhyrë për lehtësimin e marrjes së vizave amerikane për të dashurat e doktorit nga Brazili, Ukraina dhe Republika Domenikane.

Menendez është shprehur vazhdimisht se prokurorët kanë ngatërruar miqësinë me korrupsionin, duke u shprehur se asnjë veprim i tij nuk ka shkelur aktivitetin e ndershëm legjislativ. Edhe mjeku nuk ka pranuar që dhuratat e tij të kenë patur natyrë tjetër veçse miqësore, duke i quajtur dhurata të ndershme.

Suksesi i akuzës do të vendoset në një pikë: ata duhet të vertetojnë se telefonatat apo bisedat që senatori ka bërë për të rregulluar takimet dhe lehtësimin e vizave kanë qënë “akte zyrtare” dhe jo thjesht kërkesa miqësore mes zyrtarësh të njohur me njëri-tjetrin.

Gjykata e Lartë amerikane në vendimin e saj të para një viti për anullimin e dënimit për korrupsion të ish-guvernatorit të Virxhinias Bob McDonnell u shpreh se që një veprim të konsiderohet “akt zyrtar” duhet që prokurorët të provojnë se veprimi përfshin ushtrim formal të pushtetit dhe përbën “diçka specifike dhe të përqëndruar”.

Kjo do të thotë se prokurorët duhet të provojnë që kërkesa për sigurimin e takimeve me funksionarët shtetërorë nga senatori është bërë në ushtrim të detyrës së tij si senator, dhe nuk ka qenë  kërkesë informale në mirësjelljeje mes dy të njohurish që janë njëkohësisht edhe funksionarë publikë.

Gjithashtu, ata duhet të vertetojnë se kërkesa për takim ka qënë specifike për zgjidhjen e një problemi të caktuar të mjekut dhe jo kërkesë e përgjithshme thjesht për pritjen dhe dëgjimin e një miku për çfarëdo problem që ai mund të kishte.

Prokurorët duhet të provojnë edhe që ka patur një marrëveshje paraprake që mjeku do t’i ofronte dhurata senatorit në shkëmbim të favoreve që senatori do i bëntë mjekut.

Gjyqi i senatorit Menendez pritet të zgjasë dy muaj. Nëse ai dënohet, me shumë gjasa ai do detyrohet që të lëshojë vendin e tij në senat. Sipas kushtetutës amerikane zëvendësuesi i tij në senat nuk zgjidhet por emërohet nga guvernatori i shtetit përkatës, në këtë rast nga Guvenatori republikan Chris Christie.

Christi nuk ka asnjë kufizim se kë mund të caktojë senator dhe me shumë gjasa ai do të zgjedhë një republikan, duke i dhënë kështu një votë më shumë shumicës republikane në senat.