Diplomati Nesho: Ditmir Bushati ishte ‘’zëri i padronit’’. Emërimet e Ramës shtuan nepotizmin

‘”Spektakël politik, me gjuhë të papranueshme me tone presioni dhe denigrim të personaliteteve’’, komenton Nesho gjithë sa ndodhi në daljen e Ramës para ambasadorëve. Dhe s’do shumë punë të kuptosh se siç e thekson diplomati i karrierës, ‘’shërbimi diplomatik vazhdon të mbetet i varur nga politika’’. Kështu u shpreh ish Ambasadori i Shqipërisë në OKB Agim Nesho në një bisedë me gazetaren Valmora Gogo për portalin Shuplaka.com, në lidhje me deklaratat e Kryeministrit Rama ndaj diplomatëve shqiptarë.

Zoti Nesho tha se fajin për dështimin e politikës së jashtme të vendit e ka politika e  emërimeve e Kryeministrit.

‘”Po të shikosh cilësinë e emërimeve gjatë qeverisjes ‘’Rama  1’’ do të vëresh se janë pikërisht disa emërime të kryeministrit që kanë sjellë uljen e nivelit të emërimeve në diplomaci si dhe rritjen e nepotizmit si fenomen nga emërimet e ministrit të Jashtëm’’, theksoi Zoti Nesho.

Diplomati analizon punën e ministrit Bushati, teksa e cilëson si një nga ministrat më të dobët që ka patur vend.

“Bushati është një nga njerëzit më të përgatitur “të kopshtit të fëmijëve” të Kryeministrit Rama. Inteligjent por pa eksperiencë, njohës i problematikës por pa integritet për të ndalur kryeministrin e tij në diplomacinë mediatike; Autoritar me vartësit si një hapje e modelit të Rilindjes, por jo autoritar dhe vizionar në politika duke vepruar si diletant dhe duke përfunduar si ministri më i dobët i Jashtëm që ka pasur Shqipëria. Fatkeqësia e tij është që e pranoi këtë rol dhe dështoi…Ai ishte vetëm “zëri i padronit” i cili nuk kishte asnjë eksperiencë në diplomaci” — u shpreh Nesho.

Më poshtë gjeni inetrvistën e plotë të diplomatit Nesho:

Në këto ditë vere, pa shumë zhvillime dhe në pritje të krijimit të qeverisë së re, ka bërë përshtypje të madhe gjuha dhe kritikat e kryeministrit Edi Rama ndaj ambasadorëve. Pse? Pas 4 vitesh qeverisje dhe pune me ta, duket se Rama, në pastë të drejtë, është vonuar në kritikat e tij. Ju, një nga diplomatët me përvojën më të gjatë në shtetin shqiptar, si e keni ”lexuar” gjithë këtë zhvillim?A ka të drejtë Rama?

Takimi me ambasadorët ishte vazhdim i një spektakli politik që kryeministri Rama po përdor pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Në disa raste populist në idenë e tij të “bashkëqeverisjes me popullin”, ndërsa me institucionet përfaqësuese të vendit kritik deri në përbuzje për përfaqësuesit e tyre, siç është takimi me ambasadorët e Republikës së Shqipërisë. Takimi evidentoi disa probleme dhe shqetësime për shërbimin e jashtëm të vendit tonë.

Së pari, gjuha e përdorur në takim ishte një gjuhë e papranueshme me tone presioni dhe denigrim të personaliteteve të individëve përfaqësues, gjë që tregon se shërbimi diplomatik vazhdon të mbetet i varur nga politika dhe interesat e saj të ditës dhe jashtë detyrave të tij kushtetuese për t’i shërbyer interesave të vendit.Varësia duket qartë edhe nga duartrokitjet e pjesëmarrësve, të cilët edhe të fyer pranuan në dëshpërim fjalën e kryeministrit.

Së dyti, shërbimin diplomatik e prekin dhe dëmtojnë ndërhyrjet e politikës dhe vendosja e militantëve partiakë si pjesë e tij. Po të shikosh cilësinë e emërimeve gjatë qeverisjes ”Rama 1” do të vëresh se janë pikërisht disa emërime të Kryeministrit që kanë sjellë uljen e nivelit të emërimeve në diplomaci si dhe rritjen e nepotizmit si fenomen nga emërimet e Ministrit të Jashtëm. Shërbimi diplomatik shqiptar ka shumë ambasadorë me përvojë të nivelit europian si dhe emërime dilitanteske që shërbejnë në vlerësimin personal të z. Rama dhe z. Bushati. Vlerësimet e kryeministrit janë një boomerang për ato që kanë prodhuar vetë gjatë qeverisjes së kaluar.

Së treti, mungesa e vizionit qeverisës për politikën e jashtme, mungesa e prioriteteve, luhatjet në qëndrime dhe gabimet e herëpashershme si dhe roli protagonist i kryeministrit që në shumë raste ka disbalancuar prioritetet dhe diplomacia është vënë në funksion të manifestimeve publicistike të qeverisë.

Nëse i shkojmë fillit të mendimit se diplomacia çalon, çfarë mendoni se nuk shkon? D.m.th na duheni ju që ta thoni hapur se ku është problemi, një diplomat që e njeh mirë sistemin, nga brenda…

Shërbimi Diplomatik Shqiptar, përveç problemeve të mësipërme, ka nevojë për një strategji të mirëpërcaktuar dhe afatgjatë që duhet të jetë produkt i një mendimi konsensual i gjithë partive politike dhe institucioneve akademike, sidomos për strategjinë kombëtare, të një strukturimi më të thellë e të studiuar të përfaqësive diplomatike; dhe një pavarësie të plotë në funksionimin e tij si nga personeli ashtu edhe në veprimtarinë e tij.

Qeveritë mund të shprehin vetëm prioritetet e tyre por nuk mund të përdorin shërbimin diplomatik për interesat e partisë ose grupeve të interesit brenda lidershipit të radhës.

Rama thotë se ka një mungesë dramatike të rolit të shërbimit të jashtëm në sjelljen e investimeve në Shqipëri. Si funksionon në praktikë? A e kanë infrastrukturën e duhur ambasadorët për ta bërë këtë gjë apo ajo nuk ekziston? Në të kundërt duhet të jetë çështje vullneti e tyre…

Diplomacia ekonomike është një drejtim kryesor i diplomacisë moderne por nuk mund të funksionojë e vetme pa klimën ligjore, politike dhe kushtet konkrete që ka vendi. Ambasadorët nuk mund të krijojnë realitete të paqena nëse situata në vend nuk është tërheqëse dhe e qëndrueshme për investitorët. Politikat fiskale si dhe lehtësitë për investimet e huaja janë një kusht për t’i thithur ato, ashtu si edhe sistemi i pavarur gjyqësor. Klima politike e acaruar tremb investimet.

Prandaj në këto kohë të teknologjisë moderne të informacionit, investimet e huaja nuk varen vetëm nga puna e ambasadorëve dhe ambasadave në qoftë se kushtet e nevojshme dhe të mjaftueshme në vend nuk plotësojnë klimën e duhur dhe të përshtatshme për investime. Nuk jemi në kohën që ambasadat të bëjnë prezantimin dhe lidhjet, por ato shërbejnë në mënyrë komplementare duke ndihmuar dhe lehtësuar këto investime.

Pse nuk vijnë investitorët e huaj në Shqipëri?

Investimet në Shqipëri nuk vijnë për arsye se klima politike nuk është shumë e përshtatshme, korrupsioni është i pranishëm, nuk ka një strategji ekonomike të mirëpërcaktuar dhe me vizion, stabiliteti i rajonit është problematik dhe mungon balanca e pushteteve dhe sistemi i drejtësisë i pavarur.

Të gjitha këto dukuri tregojnë se problemet më të mëdha për investimet e huaja qëndrojnë për qeverinë, ndërsa kritikat për diplomacinë janë një shfajësim dhe tërheqje e vëmendjes nga problemi kryesor.

E parashikoj që nuk doni të komentoni asnjë diplomat dhe unë sigurisht që nuk kam për qëllim të merrem me ndonjë syresh, por a janë shumë? 50 përfaqësi shqiptare në botë. Mendoni që kanë një shpërndarje funksionale?

Çështja e strukturimit të shërbimit diplomatik është një nga çështjet kryesore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Vende të zhvilluara të Bashkimit Europian si Sllovenia, etj kanë një numër më të kufizuar përfaqësish diplomatike (rreth 38) por më mirë të organizuar.

Shqipëria ka nevojë për një strukturim të plotë në 7-8 vende kryesore të botës si dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe NATO ku mund të ketë shërbim të plotë dhe mirëpërfaqësim. Në vende të tjera mund të bashkoheshin shumë ambasada në një të vetme përfaqësuese.

Kjo gjë është diskutuar disa herë por politika akoma e shikon diplomacinë si strehë për të bërë ndere dhe mban këtë numër të lartë përfaqësish diplomatike.

Të kthehemi pak te përfaqësuesi politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ministri Ditmir Bushati. A keni një koment për punën e tij? Çfarë mendoni se ka bërë për të zbutur pikërisht këto problematika të konstatuara apo jo shumë?

Bushati është një nga njerëzit më të përgatitur “të kopshtit të fëmijëve” të kryeministrit Rama. Inteligjent por pa eksperiencë, njohës i problematikës por pa integritet për të ndalur kryeministrin e tij në diplomacinë mediatike; Autoritar me vartësit si një hapje e modelit të Rilindjes, por jo autoritar dhe vizionar në politika duke vepruar si diletant dhe duke përfunduar si ministri më i dobët i Jashtëm që ka pasur Shqipëria.

Fatkeqësia e tij është që e pranoi këtë rol dhe dështoi. Prandaj z. Rama ka të drejtë kur i kritikon kaq ashpër se nuk përfaqësonin asnjëherë vetveten por ishin pjesë e “kopshtit të fëmijëve pa identitet” që lideri iu dha një mundësi. Prandaj nga ministri Bushati nuk pritej të sillte ndryshime.

Ai ishte vetëm “zëri i padronit” i cili nuk kishte asnjë eksperiencë në diplomaci.

Rama deklaron se jashtë kufijve na njohin pak, aspak, ose na njohin keq. Madje sipas tij ”kemi bërë një vrimë në ujë”.Cila është përshtypja juaj për imazhin e Shqipërisë në botë?Sa mund të ketë ndikuar kanabisi, krimi, dyndja e shqiptarëve për të kërkuar azil, mungesa e rasteve të reja të suksesit të investitorëve të huaj në vend etj. Holanda së fundmi kërkon rikthimin e vizave, disa deputetë e kërkojnë në parlament përveç raporteve të prokurorisë dhe policisë….

Asgjë nuk mund të pritet nga shërbimi i jashtëm nëse vendi prodhon aq fenomene negative si prodhimi i kanabisit, korrupsioni, politika e kapur nga krimi në majat më të larta deri në parlament.

Këtë imazh nuk mund ta retushojnë ambasadorët edhe sikur të punonin ditë e natë. Shumë prej tyre ndoshta kanë bërë punë të mirë duke u munduar ta fshehin këtë realitet.

Si duhet ndarë përgjegjësia midis ambasadorëve të shenjëstruar dhe vetë Ramës?Opinioni publik kërkon të dijë ku mbaron njëra e fillon tjetra…Apo ka edhe aktorë të tjerë që duhen komentuar?

Përpara se t’u kërkojmë llogari ambasadorëve duhet të shikojmë më parë punët e qeverisë dhe situatën e vendit. Fakti që z. Rama mori një mandat të dytë nuk tregon se Shqipëria ka ecur përpara.