De Telegraaf, artikulli që bëri publik kërkesën për heqjen e vizave me Shqipërinë

Një artikull i para pak ditëve i gazetës hollandeze De Telegraaf bëri publik raportin e policisë hollandeze i cili rekomandon vendosjen e regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe Hollandës, si një teknikë për të kontrolluar hyrjen e kriminelëve shqiptarë dhe qendrimin e tyre në vend.

Bazuar në artikullin e De Telegraaf, 11 deputetë të parlamentit hollandez i kanë dërguar 12 pyetje zyrtare Ministrisë së Sigurisë dhe Drejtësisë të Hollandës rreth vendosjes së sistemit të vizave për qytetarët shqipatrë.

Parlamentarët kërkojnë të konfirmohen të dhënat e përmendura në memon e policisë dhe prokurorisë hollandeze mbi rritjen e shpejtë të aktivitetit kriminal të shqiptarëve në Hollandë.

Më poshtë gjeni artikullin e plotë të publikuar në De Telegraaf.

***
Trafiku i përhapur i kriminelëve shqiptarë në Hollandë është jashtë kontrollit. Policia dhe prokuroria këshillojnë qeverinë hollandeze të rifusin regjimin e vizave me Shqipërinë. Kjo do të na mundësonte kontroll më të mirë të gjendjes, sepse kriminelët nuk do të hynin më në vend pa u vënë re. “Kjo mund të ishte një mallkim për bandat kriminale”, tha prokurori Jeroen Van Berkel.

Kriminelët shqiptarë kanë përparuar nga korrierë të thjeshtë për grupet e tjera kriminale në  drejtues të tregtisë së drogës nga Amerika e Jugut deri në thellësi të kontinentit evropian. Ato përdorin Roterdamin dhe Amsterdamin si qendra të shpërndarjes.

Këto janë deklaratat alarmante në memon e brendshme të policisë të marrë nga gazeta de Telegraaf. Sipas hetuesve kriminalë natyra dhe përmasat e këtij problemi po përkeqësohen me shpejtësi. Përveç trafikimit të drogave dhe qënieve njerëzore ka edhe krime të tjera: në qendrën e regjistrimit për transaksione të zakonshme financiare, shumë transferta janë klasifikuar si “sekret shtetëror”.

Raporti i hartuar në fillim të gushtit tregon se arrestimi “aksidental” teksa udhëtonte nënë autostradë i një prej kriminelëve më të kërkuar nuk është ngjarje e rrallë. Hollanda është një qendër kryesore për aktivitetet kriminale të kriminelëve të kërkuar nga Shqipëria, e cila është gjithashtu vend kandidat për anëtarësimin në BE. Regjimi i vizave u hoq që në vitin 2010.

Policia e Amsterdamit dhe Roterdamit i bien alarmit ngaqë dyshojnë se shqiptarët po marrin një pozicion strategjik në industrinë e hotelerisë, tregtisë dhe shitjen e blerjen e pasurive të patundshme.”Ne nuk duam që pas disa vitesh të themi: oh! ata kanë në pronësi të gjithë bulevardin qendror të Amsterdamit”, u shpreh shefi i hetimeve.

Krimi po rritet me shpejtësi. Në vitin 2016, numri i kriminelëve shqiptarë u dyfishua krahasuar me një vit më parë. Vetem në Amsterdam, policia filloi 36 hetime ndaj personave shqipfolës. Policia vlerëson se numri i shqiptarëve që hyjnë në Hollandë është rreth 6 herë më shumë se ata që regjistrohen zyrtarisht. Kjo sepse turistët kanë të drejtë të udhëtojnë të lirë në zonën Shengen.

“Kur zbatohet regjimi i vizave ne mund ta monitorojmë kush hyn në vend,” tha Van Berkel.

Qeveria do të bëjë mirë të merret me këtë çështje. Ministria e Sigurisë dhe Drejtësisë ende nuk mund të japë një përgjigje zyrtare, për aq kohë sa raporti nuk është dorëzuar zyrtarisht.