Arrihet dialogu ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë

Javën e ardhshme, stafi diplomatik i Serbisë do të kthehet në Maqedoni. Marrëveshja u arrit pas bisedës telefonike ndërmjet Presidentit serb Vuçiç dhe Kryeminsitrit maqedonas Zaev, ditën e mërkurë.

Në një deklaratë të përbashkët pas bisedës telefonike, të dy udhëheqësit deklaruan se ato kanë rënë dakord të zgjidhin problemet ndërmjet tyre.

“Pavarësisht dallimeve politike mbi disa çështje të rëndësishme politike dhe rajonale, Serbia dhe Maqedonia do të përpiqen bashkarisht jo vetëm për të ruajtur, por për të përmirësuar marrëdhëniet miqësore,” — shkruhet në deklaratën për shtyp.

Gjithashtu, pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Vuçiç dhe Zaevit, Ministri i Jashtëm serb dhe homologu i tij maqedonas do të takohen me 25 gusht në Nish, për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike ndërmjet qeverive respektive.

 

Qeveria serbe tërhoqi të gjithë stafin e ambasadës së saj në Maqedoni, me pretendimin se kjo e fundit ka ndërmarrë “veprime sulmuese” ndaj Serbisë.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u shpreh për gazetarët se tërheqja e trupit diplomatik erdhi pas disa raporteve të inteligjencës serbe për “veprime shumë ofenduese të planifikuara në Maqedoni kundër interesave serbë”.