Publikohen Statutet e Shkodrës në gjuhën shqipe

Lucia Nadin, atashe kulturor në Shqipëri në fillim të viteve 1990, vazhdon të japë ndihmën e saj në njohjen e historisë shqiptare bazuar në dokumenta të gjetura në gjuhën italiane.

Statutet e Shkodrës, u shkruan në vitin 1345 dhe qendruan në fuqi deri kur qyteti i Shkodrës u pushtua nga turqit në vitin 1469. Këto statute u gjendën nga Lucia Nadin në fillim të viteve 1990-të në fondin e bibliotekës së Muzeut Correr në Venezia. At,o së bashku me arkivin e Vatikanit, përbëjnë burimin më të besueshëm të të dhënave historike për Shqipërinë e Mesjetës.

Këto statute u publikuan për herë të parë në vitin 2002 me komente në italisht, u ripublikuan në vitin 2012 dhe më në fund këtë vit u publikuan në gjuhën shqipe me parathënie të Lucia Nadinit dhe Pëllumb Xhufit.

Ato tregojnë se historia e ligjit shqiptar fillon në Venezia, të paktën një shekull përpara publikimit të Kanunit të Lekë Dukagjinit, dhe është e shkruar në gjuhën latine dhe atë veneciane, ose më saktë në gjuhën veneciane të pasuruar me fjalë në latinisht.

700 vjet përpara kushtetutës së parë shqiptare, qyteti i Shkodrës kishte një rregull juridik i cili rregullonte jetën e përditshme të qytetit. Të njëjtën gjë bënin edhe qytetet e tjera të vendosua përgjatë detit Adriatik, të cilat ishin nën ndikimin e Venezias.

Dhe në fakt prania e një statuti qytetar, jo vetëm i jepte qytetarëve një rregull për të ndjekur, por kufizonte edhe pushtetin e udhëheqësave të dërguar nga Venezia, të cilët në mungesë të një statuti të shkruar ishin të legjitimuar të vepronin sipas ndërgjegjes së tyre.

Interesant është fakti se këto statute përmbanin një sërë normash praktike për të rregulluar aktivitetin dhe sjelljen, nga ndërtimi i një banese në hapësirë publike e deri tek dënimi i dhunës kundrejt gruas.

Pavarësisht se komunizmi në Shqipëri i ka luftuar shumë dukuri të tilla, duhet të pranojmë se pushtimi 500 vjeçar turk nuk i ka sjellë asgjë të mirë jetës shoqërore dhe sistemit ligjor në Shqipëri, i cili ende edhe sot përbën një aspekt problematik të jetës në Shqipëri.

Këto statute, përveç vlerave historike, duhet të shërbejnë si një shembull i dobishëm edhe sot, kur sistemi politik shqiptar po afrohet më shumë me sulltanatin otoman se sa me atë të vendeve perëndimore.