Zgjedhjet në Britani, asnjë parti nuk fiton shumicën, ç’mund të ndodhë? – Exit shpjegon Kryeministrja Theresa May dhe lideri i Laburistëve Jeremy Corbyn

Kryeministrja e Britanisë së Madhe Theresa May pësoi një humbje të mëdhe në zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit duke mos arritur të fitojë shumicën në parlament, ç’ka do ta lejonte atë të formonte qeverinë.

Qëllimi i kryeministres konservatore kur shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme ishte pikërisht për të përforcuar mbështjen ndaj saj, ç’ka do t’i jepte dorë më të fortë në vendimarrje, veçanërisht në çështjen Brexit.

Është ironik fakti se në Britani, zgjedhjet e ardhshme duhet të mbaheshin në vitin 2020, por ishte besimi i Mayt se mund të fitonte bindshëm ajo çfarë e shtyu atë të zhvillonte këto zgjedhje të parakohshme. Por kjo nuk ndodhi.

Rezultati i zgjedhjeve

Për të fituar zgjedhjet dhe për të formuar e vetme qeverinë, një parti në Britaninë e Madhe duhet të sigurojë 326 nga 650 vende në parlament.

Sipas rezultateve që dihen deri më tani, Konservatorët e Theresa May fitojnë 316 vende, 12 vende më pak nga ç’ka arritën të fitonin në zgjedhjet e kaluara. Laburistët e udhëhequr nga Jeremy Corbyn fitojnë 261 vende, duke shënuar përmirësim krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Partia Nacionale Skoceze (SNP) 35 vende, duke humbur rreth 21 vende krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Liberal Demokratët kanë arritur të marrin 12 vende, ndërsa disa parti të tjera të vogla kanë arritur të fitojnë 1-10 mandate.

Parlamenti i varur

Kur kanë mbetur vetëm 4 vende në parlament të pashpërndarë ende, mund të thuhet me siguri që Britania e Madhe do të ketë atë që quhet “Parlament i varur”.

Në rastin e një parlamenti të varur, udhëheqësit i partisë me më shumë vende, në këtë rast Theresa Mayt, i jepet mundësia që të përpiqet të formojë një qeveri.Për këtë ka kryesisht dy mënyra: një mënyrë është një koalicion formal me partitë e tjera, në të cilin partnerët e koalicionit ndajnë punë ministrore dhe përpiqen të hartojnë një axhendë të përbashkët.

Mundësia tjetër është një marrëveshje joformale, e njohur si marrëveshje “besimi dhe mbështetjeje “, në të cilën partitë më të vogla bien dakord të mbështesin ligjet kryesore të propozuara nga partia kryesuese, siç është buxheti, por formalisht nuk marrin pjesë në qeveri.

Nëse Theresa May nuk arrin të sigurojë një nga këto dy mënyra, e drejta e formimit të qeverisë ikalon liderit të partisë së dytë fituese, në këtë rast Jeremy Corbyn i Partisë Laburiste.

Por duke pasur parasysh dallimet e mëdha në politikat e partive të vogla atyre më të mëdha nuk është e qartë se si mund të formohej një koalicion sado pak i qendrueshëm.

A do të dorëhiqet May?

Thirrjes së liderit laburist Corbyn për dorëheqje, kryeministrja May iu përgjig:

“Në këtë kohë më shumë se çdo gjë tjetër ky vend ka nevojë për stabilitet.”