Çfarë ndodh pas formimit të institucioneve të Vetingut — Exit Shpjegon

Ditën e shtunë, Kuvendi miratoi 27 anëtarët e tre institucioneve të vetingut si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), Kolegji i Apelimit (KA) dhe dy Komisionerët Publik.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përbëhet nga katër trupa gjykues të përhershëm me tre anëtarë secili. Përbërja e grupeve do të përcaktohet me short. Këto tre institucione në vitet e ardhshme do të verifikojnë figurën e të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve si dhe punonjësit e tjerë në sistemin e drejtësisë. Anëtarët e këtyre institucioneve kanë mandat nentëvjeçarë.

Puna e institucioneve të vetingut përcaktohet në nenit 179/b të Kushtetutës së Shqipërisë, në aneksin kushtetues, dhe në ligjin numër 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë,” i njohur ndryshe si ligji i vetingut.

Rivlerësimi do të kryhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit [KPK]. Kundër vendimit të Komisionit mund të paraqesin ankesë Komisonerët Publik dhe Kolegji i Apelimit në Gjykatën Kushtetuese. Komisionerët Publik veprojnë në mbrojtje të interesit publik ndërsa Kolgji Apelimit shqyrton ankesat e subjekteve të rivlerësuar nag Komisioni. Përpilimi i ankesës kundër vendimit të KPK-së kryhet sipas procedurave të përcaktuara në Aneksin C(2) të Kushtetutës.

Sipas nenit 179/b(3) dhe (4), punonjësit e sistemit të drejtësisë do të rivlerësohen si më poshtë:

Të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i nënshtrohen rivlerësimit ex officio.

Të gjithë këshilltarët ligjorë pranë Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ndihmësit ligjorë pranë gjykatave administrative, ndihmësit ligjorë pranë Prokurorisë të Përgjithshme do të rivlerësohen ex officio. Procesit të rivlerësimit mund t’i nënshtrohen me kërkesë dhe nëse plotësojnë kriteret sipas ligjit edhe ish-gjyqtarët, ish-prokurorët, ish-këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet.

Sipas nenit Ç(1) të Aneksit Kushtetuese, i cili përcakton reformën në drejtësi, rivlerësimi do të mbulojë tre komponentë:

Vlerësimi i Pasurive

Kontrolli i figurës

Vlerësimi i Aftësive Profesionale

Sipas nenit D(2) të Aneksit Kushtetues, hetimi i pasurisë do të kryhet nga dy institucione shtetërore të pavarura si Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILLDKPKI), i cili do t’i raportojë KPK-së.

Sipas nenit DH(1) të Aneksit Kushtetues dhe nenit 36(1) dhe (2) të ligjit të vetingut, kontrolli i figurës kryhet nga një grup pune i ngritur nga Drejtoria e Sigurisë dhe Klasifikimit të Informacionit (DSIK), e cila përbëhet nga anëtarë të DSIK, Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) dhe Shërbimit të Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHKÇBA) në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Sipas nenit E(1) të Aneksit Kushtetues, KPK-ja do të vlerësojë edhe aftësitë profesionale të personave të emëruar.

Sipas ankesas së Shoqatës së Gjyqtarëve dhe të opozitës përfshirja e DSIK-së në procesin e vetingut do të politizonte procesin.Por, në lidhje me çështjen nëse lejon apo jo ligji ndërhyrjen e institucioneve në varësi të qeverisë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, Komisioni i Vencias u shpreh se roli i dy organeve—Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) — “duhet të kufizohet deri në atë pikë sa nuk cënon funksionimin e institucioneve të vetingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Apelimit (KA)”.

Komisioni i Venecias, në paragrafin 54, këshillon se DSIK “duhet ta klasifikojë një informacion sekret vetëm nëse ai nuk ndikon negativisht në vlerësimin e figurës nga Kolegji i Apelimit dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.”

Ndërsa në paragrafin 64, Komisioni i Venecias është shprehur se grupi i punës që përbëhet nga organet ekzekutive duhet të jetë domosdoshmërisht nën mbikqyrjen dhe kontrollin e plotë të Komisionit të Pavarur të Kontrollit që zgjidhet nga Kuvendi:

Sipas Nenit Ë(1) të Aneksit Kushtetues, KPK dhe KA në përfundim të shqyrtimit të çështjes, vendos masat disiplinore si “pezullimin e subjektit të rivlerësimit nga detyra për një vit, të shoqëruar me edukim të detyrueshëm, ose shkarkimin e tij nga detyra” . Nëse subjekti jep dorëheqjen nga detyra procesi i rivlerësimit ndalon.

Sipas nenit 4(3) të ligjit të vetingut, rivlerësimi nga KPK do të fillojë mënjëherë, çfarë teknikisht do të thotë sot. KPK do të fillojë të rivlerësojë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm, me radhë njëri pas tjetrit.

I tërë procesi do të monitorohet dhe mbështetet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM).