Si do të financohet fushata elektorale e partive politike? – Exit shpjegon

Në seancën e 22 majit në Kuvend, ndër të tjera, u miratuan dhe disa ndryshime në ligjin për partitë politike, e veçanërisht nenet që parashikojnë financimin e fushatës zgjedhore.

Sipas këtyre ndryshimeve, burimet e vetme të lejuara të financimit të fushatës zgjedhore për partitë politike janë:

a) fondet e dhëna paradhënie nga Buxheti i Shtetit për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore;

b) të ardhurat e vetë subjektit zgjedhor të krijuara sipas ligjit;

c) dhuratat në vlerë monetare, natyrë ose shërbime të dhëna, jo më të larta se një milion lekë;

ç) kreditë e marra nga partitë politike sipas ligjit, sërish jo më të larta se një milion lek.

Çdo shkelje e këtij ligji do të dënohet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të monitorojë zbatimin e ligjit nga partitë politike.

Çdo parti politike, që merr pjesë në zgjedhje nuk mund të tejkalojë si shpenzim për fushatën, fondin financiar që përcaktohet në pikën 3 të nenit 90 të Kodit Zgjedhor, që specifikisht thotë “shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të kalojë 10-fishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike.”

Çdo shkelje e këtyre rregullave përbën kundravajtje administrative dhe do të dënohet me gjobë nga 1 deri në 3 milionë lekë.

Partitë politike duhet të dokumentojnë në mënyrë saktë të gjithë shpenzimet e kryera dhe mënyrën e përdorimit të fondeve gjatë fushatës zgjedhore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të emërojë  ekspertë financiar për të kryer monitorimin e fushatës zgjedhore të partive politike.

Brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve, çdo parti politike që është regjistruar ne zgjedhje, duhet të bëjë publik dhe të dorëzojë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një Raport për Deklarimin Financiar të Fushatës që përmban të ardhurat dhe shpenzimet, së bashku me burimin, e partisë gjatë fushatës zgjedhore.

Nëse shuma e parave që partia ka përfituar nga buxheti i shtetit është më e lartë se shpenzimet e bëra gjatë fushatës, diferenca e parave duhet t’i kthehet KQZ-së.

Partitë politike nuk lejohen të shpenzojnë para për blerjen e kohës televizive për të transmetuar reklama politike. Televizionet private kombëtare, vendore apo satelitore do të vendosin kohë falas për të gjitha partitë, si ato që kanë përfaqësim në parlament dhe për ato që nuk kanë.