Partitë e vogla në listën e PD – vendet e kujt janë të sigurta? – Exit shpjegon

Një pasojë direkte e marrëveshje mes Kryeministrit Rama dhe liderit të opozitës Basha është fakti se në zgjedhjet e 25 qershorit nuk do të ketë koalicione parazgjedhore; të gjitha partitë do të kandidojnë të vetme.

Mungesa e koalicioneve i vë partitë e vogla, veçanërisht ata që aktualisht nuk kanë përfaqësim në Parlament në një disavantazh të madh, duke qenë se Kodi Zgjedhor, i ndryshuar në vitin 2008, nuk favorizon partitë e vogla. Kjo gjë ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha mesaleateve të vogla të PD e PS.

Kreu i PD-së Lulzim Basha duket se i ka zgjidhur këto “probleme” duke përfshirë krerët e partive aleate në listat e PD-së. Sipas listave të votimit të dorëzuara nga PD më 26 maj, shpërndarja e partive të vogla në listat e PD është:

Partia Republikane (PR)

Fatmir Mediu renditet në vend të dhjetë në qarkun e Tiranës;

Blendi Sulaj renditet në vend të katërmbëdhjetë në qarkun e Tiranës;

Lëvizja për Zvhillim Kombëtar (LZHK)

Dashamir Shehi renditet në vend të njëmbëdhjetë në qarkun e Tiranës;

Partia Agrare Ambietaliste (PAA)

Fuad Haxhiymeri renditet në vend të trembëdhjetë në qarkun e Tiranës;

Agron Duka renditet në vend të pestë në qarkun e Durrësit;

Olsi Çuko renditet në vend të pestë në qarkun  e Fierit;

Partia Demokristiane (PDK)

Nard Ndoka renditet në vend të pestë në qarkun e Shkodrës;

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ)

Vangjel Dule renditet në vend të tretë në qarkun Vlorës;

Ligoraq Karamelo renditet në vend të gjashtë në qarkun e Korçës;

Partia e Ballit Kombëtar (PBK)

Adriatik Alimadhi renditet në vend të gjashtë në qarkun e Vlorës;

Partia e Gjelbër (PGJ)

Sazan Guri renditet në vend të pestë në qarkun e Beratit;

Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL)

Sulejman Gjana renditet në vend të katërt në qarkun e Dibrës.

Bazuar në rezultatet e vitit 2013, duket se Fatmir Mediu (PR), Dashamir Shehi (LZHK), Agron Duka (PAA)  dhe Nard Ndoka (PDK) janë në vend të sigurtë dhe me shumë mundësi do të jenë deputetë në parlamentin e ardhshëm.

Në rastin e Vangjel Dules, i renditur i treti në Vlorë, duket se fitimi i mandatit është i sigurtë pasi në vitin 2013, në këtë qark PBDNJ ka fituar 5,22 për qind të votave duke fituar vetë një mandat.

Në rast se Partia Demokratike nuk arrin të marrë më shumë vota se në zgjedhjet e vitit 2013, Blendi Sulaj (PR), Adriatik Alimadhi (PBK), Sazan Guri (PGJ) dhe Sulejman Gjana (PLL) janë të renditur jashtë zonës fituese. Për këtë arsye, Sazan Guri njoftoi largimin e tij nga gara.

Ndërkohë mandatet e Fuad Haxhiymerit (PAA), Olsi Çukos (PAA) dhe Ligoraq Karamelo janë në rrezik në rast se Partia Demokratike arrin një rezultat më të dobët se ai i vitit 2013.